FIFA ndërron rregullat për ndryshimin e bluzës kombëtare të futbollistëve

FIFA, që nga viti tjetër, do të bëjë disa ndryshime lidhur me futbollistët që duan të ndërrojnë “shtetësinë” sportive dhe të luajnë më një përfaqësuese tjetër. Sipas rregullave të tanishme, futbollisti që ka luajtur qoftë edhe një ndeshje me një përfaqësuese, më pas, nuk mund ta ndërrojë, asnjëherë, “shtetësinë” sportive, pra, nuk ka të drejtë që të luajë me ndonjë përfaqësuese tjetër. Përjashtim përbëjnë vetëm vendet e porsapranuar në FIFA, si për shembull, Kosova dhe Gjibraltari, që kanë të drejtë të marrin futbollistë që, më parë, kanë luajtur me përfaqësuese të tjera.

Por, ky rregull, shumë shpejt, do të mund të ndryshojë. Në FIFA, tani, po shqyrtojnë mundësinë që t’u mundësojnë futbollistëve që më parë kanë luajtur me një përfaqësuese të caktuar, por që, më pas, nuk thirren më në këtë përfaqësuese, të luajnë me një përfaqësuese tjetër. Në të ardhmen, futbollistë të tillë do të mund të luajnë më një përfaqësuese tjetër, por me konfirmimin e dhënë nga përfaqësuesja, me të cilën ata kanë luajtur më parë, se nuk do ta thirren më asnjëherë në atë përfaqësuese. Në FIFA, tani për tani, në fakt, nuk bëjnë asnjë koment zyrtar lidhur me këtë çështje, ndërsa vihet në dukje se, deri në fund të këtij viti, do të ketë më shumë informacione lidhur me këtë temë.
Sfidanti.al