Kudo që shkel Arben Dervishi çel bari. Anëtari i Komitetit Ekzekutiv është me profesion arkitekt, por prej kohësh jep notën e fundit për cilësinë e fushëve. Në një vizitë në stadiumin “Loro Boriçi”, në fillim të javës, Dervishi tha se tepeti është në gjendje shumë të mirë, por i mungon vetëm ngjyra. Ndërsa në inspektimin e fundit, bari kishte ngjyrën e vet natyrale, madje shumë të ndezur. Ndërkohë që i dërguari i Federatës kishte edhe një propozim për Bashkinë e Shkodrës, që nëse duan të mirëmbahet stadium, t’i ndajnë fitimet e biletave edhe për ndeshjet e kampionatit me FSHF-në dhe në fund, kur të bëhet bilanci, institucioni nuk do të kërkojë asnjë fitim, por ato do t’ia kalojë klubit Vllaznia.
Ndërsa për ndeshjet e Kombëtares, ku të ardhurat nga biletat janë shumë të mëdha, Shkodra nuk do të ketë asnjë akses. Një propozim i tillë vazhdon të mos konsiderohet i drejtë nga Bashkia, që e sheh veten si violinë e dytë në një ambjent që është në territorin e saj dhe prej 64 vitesh pronë e shkodranëve. Kështu, derisa të marrin atë që kërkojnë, drejtuesit e FSHF-së ndoshta duhet ta dërgojnë Dervishin në një tur nëpër stadiumet e tjera të vendit, me pretendimin që të çeli barin kudo që do të shkelë.