Shpresojmë të mos jenë kaq të frikshëm sa në “Loro Boriçi”. Kombëtarja e Spanjës, një nga më të fortat në botë së bashku me Gjermaninë e Brazilin, po kalon një moment shumë delikat, pikërisht në kohën që do të luajë ndaj Shqipërisë, në eleminatoret e Botërorit.
Katalonja, bashkësi autonome e shtetit spanjoll, do të mbajë këtë të diel referendumin për pavarësi nga Spanja. Të njohur si nacionalitet, katalanasit numërojnë 7.5 milionë banorë, ndërsa veprimi i tyre ka shkaktuar një konflikt të ashpër, me Madridin që ka hedhur në veprim policinë për të ndaluar referendumin.
Klubi i Futbollit i Barcelonës, ashtu si shumica e klubeve të tjerë sportivë në Katalonjë, ka dalë në krah të së drejtës së popullit të tyre për vetvendosje, dhe kjo ka krijuar tensione të mëdha në ekipin përfaqësues.
Si gjithmonë, i pari që ka folur ka qenë Gerard Pike. Mbrojtësi i Barçës dhe Spanjës, postoi këtë mesazh në Tuiter: “Nga sot, deri të dielën do të shprehemi paqësisht. Nuk do t’u japim asnjë shkak. Është pikërisht ajo që kërkojnë. Dhe do të këndojmë, madje me zë të lartë: Do të votojmë”.
Kjo solli reagimin e kapitenit Sergio Ramos, shokut të Pikesë në qendër të mbrojtjes. “Tuiteri i Pikesë nuk është mënyra më e mirë që ai të mos vërshëllehet nga tifozët”, ishte përgjigja e lojtarit të Realit. Polemikat ishin të forta dhe shumëkush i kërkoi Pikesë që të largohej vetë nga Spanja, veçse trajneri Hulen Lopetegi, as nuk e mendon këtë gjë.
“Pike ka qenë gjithnjë pjesë e shpirtit të skuadrës, – u shpreh trajneri pasi publikoi listën me lojtarët për ndeshjet ndaj Shqipërisë dhe Izraelit, – Nuk dua të merrem me deklaratat e lojtarëve, por me aspektin sportiv. Të hënën, Gerardi do të jetë duke u stërvitur me skuadrën”. Në kombëtare Lopetegi ka thirrur disa lojtarë të Barcelonës si Pike, Iniesta, Buskets e Zhordi Alba, si dhe ish-futbollistë të katalanasve, Bartra, Tiago Alkantara e Pedro. Ekziston rreziku i përçarjeve të brendshme, që mund të ndikojnë në lojë dhe në rezultate.
Gjithsesi, përtej debateve në ekipin përfaqësues, nuk mungon polemika edhe jashtë tij. Barcelona ka dalë me një deklaratë zyrtare në mbështetje të vullnetit të Katalonjës për referendum. “Barcelona dënon çdo aksion që mund të ndalojë shprehjen e të drejtave të qytetarëve, shkruhet aty, – Barcelona është krenare për qendrimin historik për mbrojtjen e vendit tonë, të demokracisë, të lirisë së shprehjes dhe të drejtën për të vendosur. Për këto arsye, Barcelona e shpreh publikisht mbështetjen për ata që punojnë për këto të drejta. Jemi në krahun e shumicës së popullit katalanas.
Edhe Girona në Primera Divizion, po ashtu Reus në kategorinë e dytë, Olot, Lagostera, Sabadel apo Leida në Segunda B janë pro referendumit, ndërsa Espanjoli nuk ka marrë asnjë krah. Në favor të referendumit edhe ish-trajneri i Barcelonës, sot tek Mançester Siti, Pep Guardiola.
Sfidanti.al