Evertoni i vogël në Europë, Kutrone shpëton Milanin në fund!

Anglezët mund të jenë shumë të fortë në Champions, veçse Liga e Europës qenka shumë më e vështirë. Arsenali ia doli të fitonte në Bjellorusi, por Evertoni humbi sërish pikë, këtë herë në “Gudison Park”. Edhe pse përballë nuk kishte ndonjë emër të madh të kontinentit, sërish ekipi i drejtuar nga trajneri Ronald Koeman dhe i udhëhequr nga Uejn Runi, bëri hap të gabuar.

Apolloni i Limasolit, ish-rival i Tiranës këtu e 16 vjet më parë, arriti një barazim të madh 2-2, madje edhe pse ishte në inferioritet numerik. Qipriotët kaluan në epërsi me Sardineron, Runi barazoi, Vlasiç kaloi Evertonin në avantazh, veçse Apolloni përballoi kartonin e kuq në 86’ për Roberzhin, duke barazuar në 88’ me anë të Hektor Justes.

Një turpërim ndoshta edhe më të madh thuajse e pësoi Milani, por shpëtoi në sekondat e fundit. Shtatë herë kampionët e Europës ishin në barazim 2-2 në “San Siro” me Rijekën dhe Patrik Kutrone çliroi publikun milanez, shokët e skuadrës dhe trajnerin Montela me golin e fitores. Andre Silva e mbylli 1-0 pjesën e parë, Muzakio shënoi të dytin për vendasit, por kroatët nuk u dorëzuan. Akosti dhe Josip Elez barazuan shifrat, ky i fundit me penallti në minutën e 90-të. Pas katër minutave shtesë realizoi Kutrone, por periudha e vështirë po vazhdon.

Mbrëmja nuk ishte aspak e mirë për skuadrat spanjolle, që nuk mundën të fitonin. Atletik Bilbao u mund në fushën e vet, 0-1, nga Zoria e Luhanskut nga Ukraina (gol Haratin), Real Sociedadi u mposht 1-3 në Shën Peterburg të Rusisë nga Zeniti vendas i trajnerit Roberto Mançini, ndërsa Vijarreali që ndodhet në krizë, barazoi 0-0 në Izrael, me Makabin e Tel Avivit.

Fat i ndryshëm për dy skuadrat serbe, pasi Crvena Zvezda fitoi 1-0 në Gjermani ndaj Këlnit (Boakje), duke marrë revanshin për një eleminim gati 30 vjet më parë në Kupën UEFA. Partizani i Beogradit u mund në shtëpi nga Dinamo e Kievit.

Grupi A: Astana-Sllavia Pragë 1-1, Makabi-Vijarreal 0-0.

Grupi B: Partizan Beograd-Dinamo Kiev 2-3, Skënderbeu-Jang Bojs 1-1

Grupi C: Braga-Istanbul Bashaksehirspor 2-1, Ludogorec-Hofenhajm 2-1

Grupi D: AEK Athinë-Austria Vjenë 2-2, Milan-Rijeka 3-2

Grupi E: Everton-Apollon Limasol 2-2, Lion-Atalanta 1-1

Grupi F: Lokomotiv Moskë-Zhlin 3-0, Serif Tiraspol-FC Kopenhagen 0-0

Grupi G: Lugano-Steaua 1-2, Plzenj-Hapoel Ber Sheva 3-1

Grupi H: BATE Borisov-Arsenal 2-4, Këln-Crvena Zvezda 0-1

Grupi I: Konjaspor-Vitoria Gimaresh 2-1, Salcburg-Marsejë 1-0

Grupi J: Atletik Bilbao-Zoria 0-1, Ostersunds-Herta Berlin 1-0

Grupi K: Lacio-Zulte Varegem 2-0, Nisë-Viteshe 3-0

Grupi L: Rozenborg-Vardar 3-1, Zenit-Real Socieda 3-1.

Sfidanti.al