Lindi 153 vjet më parë. “Materniteti” quhej “Taverna e Frimasonëve” dhe ndodhej në kryeqytetin e Perandorisë Britanike, Londër. Futbolli nuk ka një “nënë”, por shumë “baballarë” që u mblodhën në 26 tetor 1863 në ndërtesën, tashmë ndër më të shquarat e botës, në Rrugën e Mbretëreshës së Madhe. Ishte ditë e hënë kur 12 burra u mblodhën në tavernë, jo për të pirë alkool, por për të krijuar bordin e parë drejtues të lojës së futbollit. Nismëtari, njeriu më i rëndësishëm ndër ta, ishte Ibinezer (Ebenezer) Morli ish-kapiten i Barnslit që ishte jurist, i cili propozoi që përfaqësues të 12 klubeve të krijonin institucionin për të vendosur rregullat e lojës. Gjithsesi, e hëna e 26 tetorit ishte vetëm fillimi, pasi u deshën 6 mbledhje derisa “Libri i Federatës së Futbollit” të dilte në dritë. Deri në atë kohë, shumëkush mendonte se futbolli kishte një rregull shumë të thjeshtë, “dërgoje topin në rrjetë, por mos e prek me dorë”, por e vërteta ishte ndryshe.
Libri i FA-së i vitit 1863 sot është bërë për në muzeum, pasi rregullat kanë ndryshuar shumë që nga koha kur nuk kishte traversë në portë, nuk kishte portier dhe skuadrat ndryshonin portat pas çdo goli të shënuar. Futbolli u rrit shpejt dhe 8 vjet më vonë, FA kishte 50 klube anëtarë. Ndeshja e parë ndërkombëtare u luajt në 1870 mes Anglisë dhe Skocisë, kompeticioni i parë ishte Kupa e Anglisë në 1871, ndërsa kampioniati i parë ishte ai anglez në 1888. U desh të kalonin shumë vjet, në 1905 që të krijohej FIFA, ndonëse federatat britanike vazhduan të kishin një status superior, të paktën juridikisht. Në Bordin Ndërkombëtar të futbollit, FIFA është një anëtar i barabartë me Federatën Angleze, atë skoceze, uellsiane dhe veriirlandeze.
Futbolli si lojë kishte nisur të luhej shumë më herët. Pa zbritur në kohët e lashta dhe në mesjetë, skuadrat nisën të krijoheshin në shekullin e 19-të. Klubi më i vjetër që ende ekziston është Shefild FC, themeluar në 1857, ndërsa në Kembrixh u krijua në 1840 një klub që nuk ekziston më.
Pas më shumë se një shekulli e gjysmë jetë, futbolli ka ndryshuar aq shumë saqë thuajse nuk njihet. E saktë shprehja se “dikur atë e luanin të varfrit dhe e shikonin të pasurit, ndërsa sot e luajnë të pasurit dhe e shikojnë njerëzit e thjeshtë”. Nga sport ai u kthye në binzes, bashkë me të mirat dhe të këqijat, nga aktivitet antistres i punëtorëve pas pune, sot është profesion i njerëzve që nuk dinë dhe nuk duan të bëjnë asgjë. Më mirë atëherë apo sot? është e kotë të gjykosh kohën, është koha që na gjykon ne, por ndoshta me emancipimin e shoqërisë njerëzore, edhe futbolli do të kthehet në origjinën e tij, të kthehet mes njerëzve dhe jo të jetë profesion i gladiatorëve milionerë modernë.
B. Kuka