Trajneri Magani duket se u lodh nga mungesa e korrektësisë së drejtuesve të Flamurtarit dhe ashtu siç kishte lajmëruar, nuk do të jetë më pjesë e skuadrës vlonjate. Tekniku peqinas ka pranuar se nuk e kishte parashikuar agravimin e skajshëm të situatës, duke dhënë të kuptohet se gjithçka ka reflektuar edhe në fushën e lojës, ku Flamurtari i ndërtuar për objektiva të mëdha, prej kohësh bën paraqitje për t’u harruar.
“Më mirë të jesh në një ambjent me më pak para, por ku nuk ekzistojnë probleme dhe mund të punosh i qetë”, ka thënë së fundi Magani dhe duket se destinacioni i radhës është Teuta. Kjo është një dashuri e vjetër për Gashin, ndërkohë që edhe skuadrën e njeh mjaft mirë, madje të njëjtin grup që tani mbyll tabelën e klasifikimit, sezonin e kaluar e udhëhoqi drejt kupave të Europës.