Karlo Tavekio nuk është kombëtarja e Italisë dhe as trajneri Ventura, por gjithsesi është “dikush” me shumë rëndësi. Presidenti i Federatës Italiane të Futbollit e ka nisur që tani ndeshjen ndaj Shqipërisë me opinionin e tij për kundërshtarin. “Kemi dy ndeshje të rëndësishme për t’u kualifikuar për në plej of, – theksoi ai në një intervistë të fundit, – kundër Maqedonisë dhe Shqipërisë, që nuk pritet të na krijojnë shqetësime të mëdha. Le të presim pastaj për të parë se kush do të jetë kundërshtari i plej ofit, por për fat jemi kokë serie dhe ndeshjen e dytë do ta luajmë në shtëpi”.
Tavekio i paska bërë llogaritë shpejt e shpejt. i bindur se Spanjën nuk e mbërrin dot, presidenti “fiton” ndeshjet që nuk janë luajtur ende me maqedonasit e shqiptarët, dhe është i kënaqur për pozitën e Italisë në plej ofin e Botërorit. Sikur të mendonte edhe Ventura kështu, ndoshta Shqipëria do ta kishte më të lehtë.
Sfidanti.al