Francezi Loran Blank është trajneri që ndodhet në krye të listës së Interit, për të pasuar holandezin Fran de Bur si trajneri i këtij ekipi milanez. “Neroazurët” do të ndeshen, sot më mbrëmje, në Torinon dhe një dështim eventual i tij do të nënkuptojë edhe një refuzim të sigurt të shërbimeve të trajnerit holandez, provë e qartë e të cilit është edhe fakti se kryesia e klubit interist, tanimë, i ka filluar kërkimet e një trajneri të ri. Sikurse shkruan gazeta sportive kryesore italiane, “Gazeta delo Sport”, krerët e Interit, tanimë, kanë hyrë në kontakt me trajnerin francez dhe i kanë bërë atij një ofertë mjaft interesante, sikurse thuhet, një pagesë prej 5 milionë eurosh për sezon plus një buxhet prej 50 milionë eurosh për përforcimin e ekipit që në muajin janar të vitit ardhshëm. Sa për kujtesë, Loran Blanku, si futbollist, ka luajtur me Interin, gjatë periudhës 1999-2001.