Për fatin e atyre që duan një Superligë të fortë, kampionët janë aty. Është Kukësi për momentin rivali kryesor i Skënderbeut, dhe bindja për këtë u krijua pas ndeshjes në shtëpi ndaj Laçit. Kundër një rivali aspak komod për veriorët vitet e fundit, skuadra e trajnerit Mladen Milinkoviç mori një fitore të thellë dhe plotësisht të merituar me shifrat 3-0.
Krejt logjikshëm me emrat që ishin në fushë si Bakaj, Shameti, Kale apo Alijev, por futbollistët e zot kanë nevojë për një trajner dhe për kohën e duhur që të krijojnë skuadër. Kjo kohë siç duket ishte deri në dy ndeshjet e para të kampionatit, ndaj Kamzës e Partizanit, ku kuksianët nuk është se bënë ndonjë përshtypje kushedi se çfarë.
Krejt ndryshe ndaj Laçit. Alijev shënoi golin e parë, ndihmuar nga devijimi i topit nga Fangaj, pastaj Kale dhe Bakaj plotësuan fitoren 3-0. Milinkoviç, me famën e merituar të një trajneri sulmues kur vjet ishte tek Luftëtari, i bën tifozët që të besojnë se skuadra e tyre do të dijë të jetë rivale e denjë e Skënderbeut.
Kukësi ka 7 pikë, po aq sa korçarët, duke pasur edhe golaverazh të njëjtë me ta, +4. Fakt tjetër i rëndësishëm është që kampionët në fuqi nuk kanë pësuar ende gol.
Sfidanti.al