Të paktën të mos e thotë publikisht. Futbollistët e Mançester Sitit prisnin që trajneri i tyre, Pep Guardiola, t’u hidhej në qafë pasi ata e mbyllën 5-0 ndeshjen ndaj Kristal Palasit, në kuadër të kampionatit anglez. Në të kundërt, katalanasi i priti i menduar dhe në dhomën e zhveshjes, pasi u sigurua që gjeti fjalët e duhura, tha: “Djema, sot nuk më keni kënaqur, keni luajtur shumë ngadalë, sidomos në pjesën e parë, dhe duhet të bëni më shumë”. Këtë gjykim Pep e tha edhe për mediat në përfundim të takimit, edhe pse Leroi Sane, Rahim Stërling (2 gola), Sergio Aguero dhe Fabian Delf e dërguan topin në rrjetë.
Fitorja me golaverazh të tillë e mbajti Sitin në vend të parë, mbi Junajtidin në tabelë, por kjo pak vlejti për trajnerin, i cili goditi stolin e tij me shkelm në fund të pjesës së parë. “Nuk e godita nga nervat, por sepse nuk më pëlqeu stoli”, – tha me shaka Guardiola më pas. “Nuk mund të fluturojmë mbi re, – vazhdoi, më pas, seriozisht, – edhe vjet fituam 10 ndeshjet e para radhazi, pastaj nuk qemë në gjendje për një fitore në 6 takime. Është shpejt për të bërë vlerësime, por 30 minutat e para këtë herë ishin të ngadalshme”. Lojtarët iu përgjjigjën në pjesën e dytë, duke luajtur shumë më shpejt.
Sfidanti.al