MotoGP, Marc Marquez bën ligjin në Aragon

Është Marc Marquez fituesi i  Çmimit të Madh të Aragon në Spanjë. Piloti katalanas i Hondës vuri diktatin e tij në këtë garë duke regjistruar suksesin e pestë sezonal për t’u dhënë një një tjetër mesazh të qartë rivalëve të tij duke marrë parasysh se e nisi garën nga vendi i pestë. Marquez  e dominoi këtë garë duke mos lënë asgjë rrugës, ndërkohë që pas tij u pozicionuan dy spanjollët e tjerë, Dani Pedrosa dhe Jorge Lorenzo si për t’u kthyer në vitet e mëparshme. Jorge Lorenzo e nisi mjaft mirë garën së bashku me Rossin që ishte fantastik në xhirot e para, ndërkohe që pas tyre me një ritëm disi më të ngadaltë ishin Dovizioso, Marquez e Vinales. Por ky i fundit doli shumë shpejt nga beteja për bnjë vend në podiumin e garës. Kaluan vetëm disa xhiro dhe Marc Marquez u rishfaq duke parakaluar Rossin për te nisur sulmin ndaj Lorenzos. Piloti nga Mallorca rezistoi si mundi, por Marquez ishte i papërmbajtshëm dhe arriti ta parakaloje spanjollin e Dukatit duke administruar pa shumë probleme pjesën e mbetur të garës teksa kaloi i pari vijën e finishit. Ndërkaq, edhe Pedrosa bëri një garë të shkëlqyer teksa parakaloi fillimisht Vinales e më pas Dovizioson e në fund edhe Rossin. Nuk vonoi shumë po Dani Pedrosa mori edhe vendin e dytë në garë duke e zbritur në të tretin Lorenzon, ndërkohë që Rossi u detyrua të kënaqej me vendin e katërt.  Në renditjen e përgjithshme për pilotë, Marc Marquez mori kryesimin me 224 pikë, Andrea Dovizioso zbriti në vendin e dytë me 208 pikë, ndërsa i treti është Vinales me 196 pikë.

Sfidanti.al