Fatet e kundërt të këngëve të tifozëve për Moratën dhe Lukakun!

Alvaro Morata dhe Romelu Lukaku dy emrat më të spikatur të Premier Ligës këtë sezon. Të dy sulmuesit kryesojnë renditjen e golshënuesve dhe jo më kot skuadrat e tyre, Çelsi e Mançester Junajtid, janë në vendet e para të kampionatit. Ngjashmëria vazhdon me faktin se tifozët kanë krijuar menjëherë këngët e tyre për sulmuesit e rinj, por ndërpritet pikërisht tek historia e këngëve.

Ata të Çelsit kishin krijuar vargje me përmbajtje antisemite dhe i këndonin nëpër stadiume, brenda apo jashtë fushe. Kjo, si shenjë rivaliteti me Totenhemin, që ka pronarë me origjinë hebraike. Pas protestave që u bënë nga organizata të ndryshme, klubi i Çelsit dhe vetë Morata kërkuan publikisht nga tifozët që kënga të ndryshohej. Për fat, përkrahësit ranë dakord, dhe në suksesin 4-0 ndaj Stouk Sitit, ku Morata shënoi 3 gola, vargjet ishin “Ai vjen nga dielli në Spanjë, ai është më i mirë se Harri Kejn” (në anglisht, he comes from sunny Spain, he’s better than Harry Kane). Sulmuesi spanjoll i falenderoi tifozët për mirëkuptimin.

Ndryshe, ama po ndodh me një pjesë të tifozëve të Man. Junajtidit. Ata kanë krijuar një këngë për Romelu Lukakun e cila përmend madhësinë e organit seksual të sulmuesit të tyre kryesor. Ashtu si Morata, edhe Lukaku u kërkoi atyre përkrahësve që të mos këndonin një varg të tillë, klubi po ashtu bëri deklaratë, ashtu si edhe shoqata për shkelmimin e racizmit dhe ofendimeve nga futbolli. Për fat të keq, tifozët e kënduan këngën edhe në ndeshjen në fushën e Sauthemptonit, ndaj tani pritet veprimi i policisë, dhe klubi do të jetë i detyruar të bashkëpunojë.

Sfidanti.al