Rozhe Federeri dhe Rafael Nadali thanë publikisht se duan që të luajnë bashkë në konkurrimin e dysheve në turneun e ardhshëm ekzibicionist “Lejver Kup” që fillon, që 21 shtator në Pragë. Federeri tha se do të kishte dëshirë që të luante bashkë në dyshe me Nadalin që, nga ana e tij, u përgjigj se kjo do të ishte diçka e jashtëzakonshme.
Gjashtë tenistë supremë të Evropës (Federer, Nadal, Marin Ciliç, Dominik Tim, Aleksandar Zverev dhe Tomash Berdih) dhe gjashtë tenistë të tjera të “pjesës tjetër të botës” (Xhek Sok, Sem Kueri, Xhon Isner, Nuk Kirios, Fransis Tiafo dhe Denis Shapovallov) do të marrin pjesë në këtë turne për nder të kampionit të 11-fishtë të turneve Grand Slem, australianit Rod Lejver.
Që nesër deri të dielën, çdo ditë, do të luhen nga tri ndeshje në konkurrimin individual dhe një ndeshje në atë për dyshet. Sidoqoftë, vendimi që do t’u mundësojë dy rivalëve të lartpërmendur që të luajnë së bashku do t’i takojë që të merret nga trajneri i ekipit evropian, suedezi legjendar Bjorn Borg. Ekipi i botës ka si trajner një tenist legjendar tjetër, Xhon Mekinro. Interesant është fakti se turneu do të luhet në një fushë me ngjyrë të zezë që është e pazakontë për “sportin e bardhë”!
Sfidanti.al