Kristiano Ronaldo është deklaruar kaq e kaq herë si favorit për të fituar Topin e Artë këtë sezon. Champions League e marrë me Realin dhe kampionatin europian me Portugalinë janë arsye të forta, edhe pse portugezi luajti jo në maksimum në finalen ndaj Atletikos, ndërsa nuk ishte fare në fushë në përballjen kundër Francës. Tradita e favorizon, por një “rrufe në qiell të pastër” i vjen andej nga nuk e pret.
Një sondazh i bërë në Spanjë nxjerr Lionel Mesin si fitues të trofeut më të rëndësishëm individual të futbollit në botë. Pyetja që të vjen ndërmend është: Këtë sondazh mund ta kenë bërë mediat e Barcelonës, apo ndoshta ato të Atletikos, që do të kishin dëshirë të fitonte Mesi apo Grizman. Jo, jo, e keni gabim.
Është vetë media më pranë Realit, gazeta “Marka”, që ka këtë përfundim nga sondazhi i saj. Shqetësuese për yllin portugez është se në anketë kanë votuar 100 000 lexues, shifër e rëndësishme dhe një pjesë e madhe e tyre i bie të kenë qenë tifozë madrilenë.
A mund të ndodhë që Mesi ta parakalojë Ronaldon dhe të fitojë Topin e gjashtë të Artë në karrierë? Gjithçka mund të ndodhë, pasi edhe Leo ka fituar titullin kampion në Spanjë, Kupën e Mbretit, ka arritur në finalen e Kupës së Amerikës me Argjentinën, ndërsa dje u shpall sulmuesi më i mirë i kampionatit spanjoll për sezonin e kaluar.
B. Kuka