Ende nuk e ka fituar këtë kurorë, por mund të quhet favorite për finalen. Sllovenia nxorri jashtë Europianit kampionen në fuqi, Spanjën, madje në një mënyrë brutale dhe që nuk lë vend për dyshime. Nën udhëheqjen e kapitenit Goran Dragiç dhe të talentit të ri të Realit, Luka Donçiç, sllovenët triumfuan 92-72 në gjysmëfinalen e parë duke paraqitur një lojë shpesh spektakolare që mund ta bëjë të quhet “Skuadra Ëndërr” e kontinentit. Spanja duket se ka abdikuar përpara “mbretit” të ri.
Dragiç shënoi 15 pikë, kapi 6 topa në tabela dhe shërbeu 5 asistë, ndërsa Donçiç pati 12 pikë, 12 topa në tabela dhe 8 asistë, thuajse një “tripëll dabëll”. Amerikani i natyralizuar, Randolf shtoi 15 pikë dhe Prepeliç 13 të tjera, ndërsa sllovenët patën shumë dorë në gjuajtje për 3 pikë (6-8), krejt ndryshe nga spanjollët (0-7). Shkëputja përfundimtare u bë në minutën e 28-të kur shifrat arritën në 68-52. Sllovenia e trajnerit serb, Igor Kokoshkov, pret tani finalistin e dytë që do të dalë nga gjysmëfinalja e sotme, Rusi-Serbi.
Sfidanti.al