Harri Kejn prish “mallkimin e Uemblit” për Totenhemin, me dy gola!

Dikur, në vitet 80-të, ishte një batutë se “SHBA ka skuadrën kombëtare të atletikës më të mirë në botë, por ia ka zili Bashkimit Sovjetik një si Sergej Bubka”. Sot mund të thuhet se klubet më të mëdha të Europës si Reali, Barcelona, Bajerni apo Çelsi mund të kenë diferencë me shumicën e të tjerëve, por ia kanë zili Totenhemit një sulmues si Harri Kejn.

Numri 10 (numri perfekt), vetëm 24 vjeç, shtatlartë 1.88 metra, por i aftë për teknikë të lartë, shpejtësi e shkathtësi, anglezi është vërtet “identikiti” sesi duhet të jetë një sulmues. Modeli i futbollistit modern. Me dy gola në portën e Dortmundit, ai prishi “mallkimin e Uemblit”, me suksesin 3-1. Spërsat kishin fituar vetëm 1 nga 11 ndeshjet e luajtura në Stadiumin Perandorak, që kur ai u rindërtua, por tashmë gjithçka duket se po kalon dhe nuk do të jetë problem të luhen aty ndeshjet shtëpiake në pritje të ndërtimit të “Uajt Hart Lejnit” të ri.

Fillimisht, koreanojugori Heung-Min Son kaloi anglezët në epërsi, por pastaj ukrainasi Jarmolenko, i ardhur nga Dinamo e Kievit për të zëvendësuar Usman Dembelenë, barazoi rezultatin. Veçse nuk kishte “folur” ende Kejn, që shënoi në minutat 15 e 60. Tifozët e Spërsave mund të thonë edhe se “Uembli” këtë herë ishte fati i tyre, pasi në 57’, Pjer-Emerik Obamejangut iu anulua një gol i drejtë që mund ta kishte barazuar rezultatin në 2-2.

Kejn, ndërkaq, prej 3 sezonesh është ngjitur në një nivel tjetër. Ai ka shënuar në këta edicione 77 gola në 106 ndeshje në Premier Ligë, dhe 94 gola gjithsej në 139 ndeshje në të gjithë kompeticionet.

Sfidanti.al