Mirel Josa është emëruar dhe ka nisur punën si drejtor i Prishtinës. Trajneri tiranas, i njohur sidomos për sukseset e tij tek Skënderbeu, ra dakord me klubin e Kosovës për të marrë detyrën e re, dhe u prezantua me skuadrën.
Presidenti i Prishtinës, Remzi Ejupi, u shpreh se klubi afroi Josën sepse dëshiron të ketë organizim më të mirë, duke pasur besim tek përvoja e tij në kampionatin shqiptar dhe në arenën ndërkombëtare.
Vetë Josa tha se e pranoi me kënaqësi detyrën, pasi donte të provonte një pozicion të ri, tashmë jashtë Shqipërisë, edhe pse brenda kombit shqiptar. Në të kaluarën, ai fitoi një titull kampion me Tiranën dhe katër me Skënderbeun, duke u kualifikuar edhe në fazën e grupeve të Ligës së Europës me skuadrën korçare.
Prishtina është klubi më i njohur i Kosovës, me 10 tituj në Kosovë, por nuk e ka fituar kampionatin që nga viti 2013. Skuadra e sotme, e drejtuar nga trajneri Arsim Thaçi, shpreson që pas Kupës së fituar vjet, të marrë edhe titullin.
Sfidanti.al