Unë diktator? Përkundrazi, me mua ka më shumë liri, thotë Panuçi

Dëshiron të jetë transparent dhe gati për çdo “gjyq”. Kristian Panuçi, la pas dy ndeshjet e tij të para si trajner i kombëtares, dhe doli menjëherë përpara mediave, në selinë e federatës. Ishte rasti për të dëgjuar sesi e vlerësoi ai punën e skuadrës dhe të vetën. Në fund të fundit, është më mirë të të dalë nami se je i gatshëm për të folur sesa të thonë se “u fsheh”. Një profesionist i vjetër, që kur ishte tek Milani, Panuçi nuk bën gabime të panevojshme.

“Për sa i përket dy ndeshjeve, në fund të fundit jam i kënaqur, – tha ai, – Në të parën, Lihtenshtajni nuk gjuajti asnjëherë në portë. Në pjesën e parë, luajtëm ngadalë, ndërsa pas pushimit ishim shumë më ndryshe, dhe jo vetëm sepse shënuam. Në Maqedoni, ishte zgjedhja ime që të ishim më të kujdesshëm në mbrojtje, duke dëmtuar pak lojën me topin. Kjo, pasi i druhesha vrullit dhe entuziazmit të kundërshtarit. Në pjesën e parë nuk luajtëm mirë, por nuk vuajtëm. Në pjesën e dytë, bëra zëvendësimet dhe skuadra luajti më mirë duke kaluar në avantazh. Gjithsesi, në 20 minutat e fundit mund të kishim humbur, pasi u lodhëm fizikisht”.

Panuçi pohoi se ndaj Maqedonisë mund të ketë interpretim sipas dëshirës, pra edhe që ai mund të ketë gabuar, për shkak të njohjes së paktë të skuadrës. “Edhe unë njeri jam”, tha italiani. Gjithsesi, kritikat më të mëdha kanë qenë për lojën, dhe trajneri ka disa plane.  “Është më mirë të luajmë me 3 lojtarë në mesfushë, sesa me dy, këtë e them tani që e njoh më mirë skuadrën, – u shpreh Panuçi, – Kam nevojë që në të ardhmen, të hedh në fushë një skuadër me sa më shuëm cilësi që të jetë e mundur. Duhet të kërkoj mesfushorë dhe sulmues me cilësi. Kam një listë me lojtarë që luajnë në Europë dhe do të shkoj t’i ndjek. Duke pasur shumë pak kohë për të punuar, është më mirë të hedh në fushë sa më shumë cilësi”.

Lihtenshtajni dhe Maqedonia do të duken “karamele”, në krahasim me atë që na pret. Përballja në Spanjë dhe pastaj Italia në Shkodër. “Ndaj Spanjës e dimë se është një ndeshje e vështirë, – pohoi trajneri ynë, – Nëse do të thosha të kundërtën duhej të merrja ilaçe për t’u shëruar. Veçse, ne ndoqëm edhe Francën me Luksemburgun. Kush do të kishte vënë bast 10 euro për Luksemburgun? Pra, historia na mëson se gjithçka mund të ndodhë. Edhe ndaj Italisë duhet të bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat pozitiv. Italia është gjithnjë Itali, por do të luajmë në fushën tonë, dhe kundërshtarët nuk po luajnë aq mirë sa Spanja”.

Panuçi deshi të “ndreqte” pak imazhin e “diktatorit” që e ka shoqëruar këto ditë që kur dënoi Cikalleshin. “Ju më shikoni mua sikur jam vetëm i ashpër për rregullat, veçse më parë familjarët mund të vinin vetëm të hënën për t’i takuar lojtarët në grumbullim, ndërsa me mua kanë qenë deri të mërkurën”, – ishin fjalët e tij.

Sfidanti.al