Edhe nga qielli do ta ndjekin këtë ndeshje. Italia luan në fushën e Spanjës, dhe që nga stacioni hapësinor ndërkombëtar vjen një urim për të kaltrit. “Ju vaftë mbarë, – shprehet astronauti italian, Paolo Nespoli, i veshur me fanelën me numrin 10. “Në gojë të ujkut, thotë ai, sipas shprehjes së njohur të popullit fqinj.
Do të luhet në “Santiago Bernabeu”, stadium që sjell kujtime të mëdha për katër herë kampionët e botës. Aty, Italia e Paolo Rosit dhe Marko Tardelit fitoi Kupën e tretë të Botës, në finalen e paharruar ndaj Gjermanisë Perëndimore.
Po ashtu, të kaltrit kujtojnë suksesin e arritur vjet në Europian ndaj Spanjës, me shifrat 2-0, duke i eleminuar ish-kampionët e kontinentit. Gjithsesi, tashmë duket se gjithçka është ndryshe. Spanja, siç e tregoi në ndeshjen e parë eleminatore të Botërorit në Torino, është sërish shumë e fortë. Trajneri Xhan Piero Ventura e ka shumë të qartë këtë, por gjithashtu ka shumë besim tek skuadra e tij.
“Spanja është një etapë e rëndësishme, por nuk është fundi i rrugës sonë drejt Botërorit, pasi do të ketë edhe ndeshje të tjera, – u shpreh ai, – Do të luajmë në një stadium të rëndësishëm dhe ndaj lojtarëve të rëndësishëm, pra duhet të japim një paraqitje të rëndësishme. Nëse do të dimë të luajmë mirë, mund të jemi protagonistë. Më vjen keq për dëmtimin e Kielinit, pasi kemi humbur një lojtar të rëndësishëm, por nuk i ndryshon objektivat. A do të luajmë me skemën 4-2-4 dhe me Insinjen? Nuk është tani momenti për ta thënë”.
Kapiteni Xhanluixhi Bufon thotë se ndaj Spanjës do të jetë një provë e vërtetë për Italinë. “Skuadra jonë është duke u ndërtuar prej një viti, – bën analizën ai, – Në Madrid do të kuptojmë nëse kemi arritur në nivelin e duhur, apo kemi ende gjëra për të rregulluar. Do të jetë një ndeshje e madhe, përtej rëndësisë që ka për kualifikimin”.
Spanjollët po përgatiten me qetësinë e një ekipi të fortë. Kriza e viteve të fundit duket se ka kaluar, ndërsa atmosfera në stërvitje ka qenë shumë e mirë. Trajneri Lopetegi, sidoqoftë, e di mirë se ndaj Italisë nuk do të jetë shëtitje.
“Asnjëherë nuk mund të jetë e lehtë kur luan ndaj Italisë, – thekson trajneri iberik, – Pres një ndeshje të ndryshme nga ajo që u luajt në Torino, pasi kundërshtari do të ketë lojtarë të tjerë. Jam i bindur se sfida e tyre do të jetë shumë e fortë dhe ne duhet të jemi gati. Nuk mendoj se Italia do të luajë në mbrojtje, por nuk ia vlen që të merremi më shumë me kundërshtarin sesa me lojën tonë. Duhet të jemi të përgatitur për çdo variant. Nuk dua të mendoj për kualifikimin apo për ndeshjet e tjera, por thjesht për të luajtur këtë të sotmen. Nuk kemi probleme në skuadër. Ramos është në rregull, dhe nuk besoj se Pike do të vërshëllehet”.
Kapiteni spanjoll, Sergio Ramos, e vlerëson lart përballjen. “Spanja ndaj Italisë është një nga ndeshjet më të mëdha dhe më të bukura që mund të ekzistojnë, dhe gjithë bota do ta ndjekë atë, – pohon me forcë numri 4 i Spanjës dhe i Realit, – Bëhet fjalë për një kundërshtar shumë të fortë, një nga skuadrat më të mira të botës, ndaj ne duhet të jemi në maksimum. Të gjithë do t’i kenë sytë në “Bernabeu”, dhe nuk mendoj se tifozët do ta vërshëllejnë Pikenë, që ka qenë lojtar shembull për Spanjën”.
Sfidanti.al