Arsen Vengeri ka kohë që nuk e gëzon simpatinë e tifozëve të Arsenalit, ndërkohë që këtë zhgënjim të tyre e rriti edhe më shumë informacioni i fundit se Vengeri, para afro 18 muajsh, kishte mundësinë që ta sillte futbollistin e ri të supertalentuar francez, Kilian Mbape, në radhët e Arsenalit. Por, atëkohë, Vengeri e refuzoi atë (Mbapen), pasi shuma prej tetë milionë eurosh që kërkoi familja e Kilianit, iu duk atij e madhe!
Në fakt, atëkohë, ky sulmues francez nuk ishte lojtar standard në formacionin e parë të Monakos, kështu që Vengerit ai iu prezantua përmes skauteve të tij në Francë. Vengeri u takua me tinejxherin dhe familjen e tij, por ai refuzoi kërkesën e tyre prej tetë milionë eurosh, si provizion, që ai të transferohej tek Arsenali. Strategu francez, sikurse duket qartë, atëkohë, e ka konsideruar se ai nuk vlente aq, ndërkohë që edhe i gjithë transferimi nuk do t’i kalonte 10 milionë eurot, një shumë që sot duket qesharake. Por, sidoqoftë, kjo gjithçka ka mbetur në histori, ndërsa Mbape, sezonin e kaluar, me të vërtetë, shpërtheu, duke e udhëhequr Monakon drejt titullit të kampionit të Francës dhe, së shpejti, pritet që të transferohet te PSZH-ja për 180 milionë euro të pabesueshme.
Sfidanti.al