Nuk do të kujtohet vetëm për titujt kampionë. Pesë apo gjashtë të tillë nuk krijojnë asnjë diskutim, ndërsa Skënderbeu do të mbahet mend edhe më shumë për historinë europiane. Një epokë që shpresohet të bëhet edhe më e madhe sonte me një sukses të mundshëm ndaj Dinamos së Zagrebit, sukses që do të sillte kualifikimin e dytë radhazi në grupet e Ligës së Europës.
Po ashtu, do të bënte që Skënderbeu të luante për të dytën herë në vjeshtë, diçka që vërtet ka ndodhur në të kaluarën, por kur formati i kupave ishte tjetër dhe të jepte menjëherë mundësi ta bëje.
Kur gjithçka nisir në korrik të 2011-ës me dy paraqitje modeste ndaj kampiones së Qipros, APOEL të Nikozisë, askush nuk mund ta mendonte vazhdimin. Korçarët vinin pas akuzave të titullit të parë fituar në kurriz të Flamurtarit, dhe dashamirësia e publikut shqiptar nuk ishte aspak e madhe.
Gjithsesi, ndryshimi u ndje vetëm pas 12 muajve. Përfaqësim shumë serioz ndaj Debrecenit, kampionit të Hungarisë, kur u arrit fitorja e parë, 1-0, edhe pse përfundimi ishte eleminim, me disfatën 0-3 në fushë kundërshtare.
Tjetër histori nga 2013-ta, me Skënderbeun vërtet të tillë siç e ka emrin. Kalim turi në Champions, eleminim me fitore nga Championsi, dhe përballje në plej of të Ligës së Europës ndaj Çernomorecit të Odesës nga Ukraina. Në një nga dramat më të mëdha të futbollit shqiptar, ekipi i trajnerit Mirel Josa mbeti vetëm 1 penallti larg nga grupet. Mëkat, por dhe krenari e përvojë.
Eleminimi i shpejtë një vit më vonë, në 2014, ndaj një force të vërtetë si BATE Borisov i Bjellorusisë nuk ia uli aksionet formacionit shqiptar. Barazimet 0-0 e 1-1 thjesht konfirmuan rritjen përballë një klienti të zakonshëm ato vite në Champions dhe Europa League.
Kulmin të gjithë e dimë, në verën dhe vjeshtën e 2015-ës, pikërisht atë vjeshtë kur Shqipëria u kualifikua për në Euro 2016. Korçarët, sërish me trajner Josën kaluan radhazi Krusejdërsin e Irlandës së Veriut, Milsamin e Moldavisë, dhe u ndalën në plej of të Championsit, ndaj Dinamos së Zagrebit. Dakord, u mundën dy herë dhe bindshëm, por pa problem, pasi grupet e Ligës së Europës u arritën më në fund. U provuan pesë humbje dhe u arrit vetëm një fitore ndaj Sportingut të Lisbonës, 3-0, edhe kjo aspak gjë e vogël, veçse përvoja vlejti për më vonë.
Pas dënimit të vjetshëm dhe tre tureve të kaluara këtë edicion, synohen sërish grupet e Europa League-s, këtë herë me trajner Ilir Dajën. Me 12 fitore e vetëm 14 humbje, si dhe me 5 barazime në 6 vjet, Skënderbeu është vërtet një histori e madhe suksesi shqiptar në Europë.
Sfidanti.al