Ibra firmos kontratën 1-vjeçare me Man. Junajtidin, i takon numri 10!

“Unë e bashkova sërish këtë gjë”! Me këtë njoftim në Tuiter, Zllatan Ibrahimoviç njoftoi nënshkrimin e kontratës së tij të re me Mançester Junajtid. Ashtu siç ishte përfolur në media, ylli suedez vendosi të vazhdonte karrierën në “Old Traford”, ndërsa njoftimin e shoqëroi me një foto ku, ai vetë i veshur si ëngjëll, bënte një garë force krahu me një djall me ngjyrë të kuqe. Pra, “ëngjëlli” Ibra bashkohet me “djajtë e kuq” të Junajtidit.

Kontrata është 1-vjeçare dhe rroga besohet të jetë më e vogël sesa 370 000 paund stërlinat në javë që merrte sezonin e kaluar. Ky veprim ishte një mbyllje dramatike e një periudhe disamujore, në të cilën Zllatani fillimisht u la i lirë nga klubi pas dëmtimit pësuar në prill, dhe pastaj u afrua përsëri. Ibrahimoviç, 35 vjeç, besohet se do të kthehet në fushë në dhjetor të këtij viti ose në janar të 2018-ës, dhe mendohet se trajneri Zhoze Murinjo shpreson që klasi dhe personaliteti i tij ta ndihmojë në gjysmën e dytë të sezonit, pikërisht në atë kohë kur fitohen trofetë.

Sfidanti.al