Nuk duhet harruar se kur Bekenbauer, Myler e Majer ishin në rininë e tyre, Bajerni ndodhej në kategorinë e dytë në Gjermani. Sërish ata e veshën atë fanelë dhe e bënë, më pas, të famshme. Në 2006, kur Juventusi u zbrit në Serinë B, disa nga lojtarët më të mirë si Bufon, Kielini, Pesoto, Del Piero, Nevdev, Markizio, Kamoranezi apo Trezege, nuk u larguan duke mos e lënë në baltë skuadrën në momentin më të vështirë.
Me siguri, këta dhe të tjerë ka pasur parasysh Jurgen Klop kur kritikoi disa lojtarë të Liverpulit, edhe pse pa i përmendur me emër, se e masnin gjithçka me “kutin” e Ligës së Kampionëve. “Mos lejoni Championsin të diktojë karrierën tuaj, – tha gjermani i shkëlqyer, – në fund të fundit, ju duhet të bëni detyrën tuaj”. Filip Kutinjo dëshiron të largohet, ndërsa Emre Xhan, autor i dy golave ndaj Hofenhajmit, nuk po pranon të rinovojë kontratën që i përfundon verën e ardhshme.
“Është detyra juaj të ndihmoni ekipin dhe tifozët që të arrijnë në Champions, – vazhdoi Klopi, pas kualifikimit për në fazën e grupeve, – mos prisni që ne të shkojmë vetë atje, dhe pastaj t’iu presim juve. Detyra është që ta bëjmë së bashku, dhe pikërisht këtë ne e bëmë”. Liverpuli fitoi 4-2 ndaj Hofenhajmit në “Anfild”, duke u kualifikuar me rezultatin e përgjithshëm 6-3.
Sfidanti.al