Ndodh edhe që të refuzohet Reali i Madridit. Deri më sot “sakrilegji” kishte arritur deri tek Barcelona, Bajerni, Mançester Junajtidi apo Juventusi, por këtë “shuplakë” në fytyrë po e provojnë “mbretërorët”. Kilian Mbape, sipas mediave, do të jetë lojtar i Paris SG, me 100 për qind siguri. Shkruhet se Monako është dorëzuar dhe ka pranuar ofertën e sheikëve të kryeqytetit të Francës, ndonëse në këtë mënyrë forcon një rival direkt.
PSG, sipas lajmeve, do të japë 150 milionë euro, plus një futbollist, për të plotësuar biznesin prej 180 milionë eurosh që përflitej prej kohësh. Me 18-vjeçarin sulmues që do të shkojë drejt Veriut, për në Jug do të niset ose Angel Di Maria, ose Julian Draksler. Tek PSG po mendojnë se mund të largohen edhe Orie apo Ben Arfa. Trajneri i Monakos, Zhardim, e ka lënë Mbapenë jashtë skuadre prej javësh, ndonëse ekipi kampion i ka fituar dy ndeshjet e para të ligës.
Sfidanti.al