Katër plus katër bëjnë 8, Junajtid i Murinjos vërtet favorit titulli!

Nuk kishte dyshime për pretendimet, pavarësisht humbjes në Superkupën e Europës. Reali mënjanë, ky Mançester Junajtid është një nga skuadrat më të forta të kontinentit dhe pritet ta tregojë vlerën e tij në Champions. Gjithsesi, më parë djemtë e Zhoze Murinjos duket t’i shtrojnë  rrugën vetes në Premier Ligë. Ata quheshin pretendentë të fortë që përpara nisjes së turneut, pasi Murinjo gjithnjë ka qenë kampion në sezonin e dytë me skuadrën e tij.

Si për t’i shtuar më shumë argumente, dhe më të “freskët” ja edhe dy fitoret e parë. Katër me zero ishte rezultati ndaj Uest Hemit, dhe po 4-0 edhe fitorja e sotme në fushën e Suonsit. Në Uells, nuk është se nuk pati duel, madje për 80 minuta, Junajtid ishte vetëm në epërsi të një goli, por prania e dyshes Pogba-Matiç në mesfushë jepte garanci të forta. Kombinoji këta me Lukakun, Mkitarianin dhe Marsialin, dhe formohet një linjë ofensive e frikshme.

Golat u shënuan nga Beili, Lukaku, Pogba dhe Marsial, madje tre të fundit në 4-5 minuta (80’, 82’, 84’). Tifozët e Junajtidit nisën të këndonin me tallje për kritikat që iu bënë Pogbasë vjet. “Çfarë shpërdorimi i parave”, duke nënkuptuar blerjen prej 90 milionë stërlinash që i bëri Murinjo Pogbasë nga Juventusi.

Sfidanti.al