Shumë kritika dhe tallje iu bënë Totenhemit dhe bordit të tij drejtues që nuk po bënte asnjë blerje këtë verë. Iu qa edhe halli se ndërtimi i stadiumit të ri po i linte pa para, veçse pikërisht tani në gjysmën e dytë të gushtit, ja ku vjen goditja. Një goditje si në Angli, nga ato që mund t’i barazojë apo t’i kalojë vetëm ndonjë klub si Reali, Barça, Bajerni apo Paris SG. Plot 40 milionë euro u shpenzuan për një mbrojtës, një shifër shumë e lartë për këtë rol, për më tepër rekordi i klubit në histori. Në këtë epokë thyerjesh rekordesh, nuk mund të mbetej pas Totenhemi.
Është Sançez, por jo Aleksis i Arsenalit, që do të vijë në “Uembli”. Davidson Sançez (ndoshta emri i lexohet Dejvidson) vjen nga Ajaksi, është kolumbian, dhe ishte ndër futbollistët më të rëndësishëm në arritjen e finales së Ligës së Europës nga klubi i madh holandez.
Sfidanti.al