Një nga klubet që shpenzon më shumë në çdo sesion merkato është padyshim Flamurtari, por në të njëjtën kohë, prej vitesh është edhe skuadra më e pabesueshme. Gjithçka që ndërtohet në verë me aq kujdes prishet në dimër, ndërsa fundi është e njëjta gjë, ekipi vlonjat lufton për të qëndruar në Superiore. Filozofia që ekziston tani është shumë e çuditshme, Flamurtari mund të bëhet kompetitiv vetëm me futbollistë të huaj, madje vetë administrator Idrizi ishte një nga nismëtarët e hartimit të një kërkese drejtuar FSHF-së, sipas të cilës kërkohej që çdo skuadër e elitës së futbollit shqiptar, të mund të kishte lojtarë të huaj pa limit, gjë që nuk u pranua. Ndërkohë që po Idrizi i është përgjigjur me arrogancë një proteste lokale, të iniciuar nga disa prej yjeve të Flamurtarit të viteve ’80, të cilët e cilësojnë të destinuar për të dështuar edhe skuadrën aktuale, qoftë edhe për faktin se nuk ka në përbërje asnjë futbollist vlonjat, përveç Franc Veliut.
Aq fobi është krijuar për lojtarët vendas, saqë dy sezone më parë, Devi Bregun e larguan si fare të panevojshëm, ndërsa tani është kthyer në një nga më trë kërkuarit në tregun vendas. Madje së fundi, numri 1 i klubit e ka pasuruar idenë e tij, për të pasur edhe në të ardhmen një skuadër të mbushur me jabanxhinj dhe të huaj. Në një prononcim të fundit, Idrizi ka thënë se do ta shkrijë fare Akademinë e Flamurtarit, për të ndërtuar më pas një tjetër. Në Vlorë gjithçka mund të ndodhë, por një gjë është e sigurtë: Nëse ndonjëherë Flamurtari ka qenë skuadër konkuruese, apo që shkëlqente edhe jashtë kufinjve, njëlloj si Skënderbeu i tanishëm, kjo ka ndodhur vetëm kur ishte skuadër vlonjate. Ishin pikërisht lojtarët e asaj Akademie, që dikur mundën Partizanin e Beogradit dhe ndesheshin me dinjitet me Barcelonën, ndërsa kështu ka shumë mundësi të mos funksionojë kurrë.