Drejtori sportiv i këtij klubi të Bundesligës gjermane paralajmëroi ndërmarrjen e sanksioneve ndaj Osman Dembeles. Ky pjesëtar i përfaqësueses franceze që luan me Borusian e Dortmundit, ka qenë, gjatë kësaj vere, target i Barcelonës, ndërkohë që, gjatë pak ditëve të ardhshme, pritej që një delegacion i klubit katalonjas të shkojë në Dortmund, në përpjekje për të siguruar një marrëveshje me këtë klub për futbollistin e lartpërmendur, por “milionerët” dortmundas kërkuan 150 milionë euro për lojtarin e vet. Pasi u bë e qartë se Barcelona nuk është e interesuar që të japë një shumë të tillë, Dembele nuk erdhi në stervitjen e djeshme, madje, ishte edhe i padisponueshëm në telefonin e tij celular që indirekt do të thotë se kjo është një lloj proteste e tij ndaj klubit të vet.
Kështu, Borusia po kthen goditjen, ndërsa drejtori sportiv i saj, Mihael Zorc, paralajmëroi sanksione kundër futbollistit. “Osman Dembele mungoi në seancën stërvitore të sotme dhe duket se vetë ka vendosur që ta bëjë një gjë të tillë, kështu që ne jemi të detyruar që ta sanksionojmë atë për një veprim të tillë. Për këtë të mos ketë asnjë dyshim”, tha ai.
Sfidanti.al