Një nga boksierët më të mirë të botës është nokaut. Jo nga ndonjë grusht i kundërshtarit, por nga një “goditje në mjekër” që ia dha vetë jeta, ose më mirë të themi ia dha vetvetja. Amir Khan, britanik me origjinë pakistaneze, është ndarë nga e shoqja, Farial Mahdum. Ka mjaftuar një tradhëti (e vetmja?) e Khanit ndaj bashkëshortes, e konsumuar me një modele franceze, që gjithçka të merrte fund. Vetë Farial ka postuar në Tuiter duke shkruar se “jam ende nokaut” pas ndarjes nga i shoqi, por nuk ka pasur rrugë tjetër.
Modelja Eglantinë-Flore Agilar luajti rolin e gruas së mirë, pasi kishte luajtur atë të femrës së keqe. Fillimisht, bëri dashuri me Amirin duke e ditur shumë mirë se ai ishte i martuar, dhe pastaj videon e regjistruar fshehurazi ia dërgoi gruas së tij, si provë e tradhëtisë (Eglantina vazhdon jetën e saj të lirë si e apasionuar ndaj sportistëve, duke shkuar me mjaft prej tyre). Amiri, disa herë kampion i botës në peshat e lehta, u përpoq të shpëtonte martesën, por kur e pa se nuk po ia dilte e akuzoi të shoqen se po e tradhëtonte me kampionin e peshave të rënda, Entoni Xhoshua (nuk ka ndonjë video për këtë). Ai vendosi të shkonte në SHBA, për t’u stërvitur në San Francisko, ndërsa synon që të harrojë gjithçka në ringun e boksit, dhe të vazhdojë sukseset në moshën 31-vjeçare.
Sfidanti.al