Gushti do të jetë muaji i mrekullive në “aksin” Nejmar-Grizman-Dibala

Gushti do të jetë muaji i mrekullive në “aksin” Nejmar-Grizman-Dibala

Nejmar është njeriu që mban “mbyllur” grykën e thesit të “merkatos”, ndërsa stuhitë janë gati të shpërthejnë sapo ajo grykë të hapet, njëlloj si tek Odisea i Homerit. Fati i brazilianit ka në dorë edhe fatin e disa lojtarëve të tjerë, pasi nuk është njëlloj nëse ai lëviz ose jo. Nëse sulmuesi pranon të largohet dhe PSG është gati të paguajë 222 milionë euro për kartonin e tij, atëherë Barcelona do të duhet të gjejë zëvendësues, dhe madje bëhet fjalë për zëvendësues të nivelit shumë të lartë.

Paulo Dibala vjen direkt në mendje dhe klubi katalanas e ka menduar, sipas mediave, dhe është gati të paguajë 120 milionë euro për të. Do të pritej në këtë rast dëshira e lojtarit dhe e Juventusit. “Plani B” do të ishte ai për Antuan Grizmanin, edhe pse sulmuesi francez ka deklaruar se nuk ka ndërmend të largohet nga Atletiko tani që skuadra nuk mund të marrë lojtarë të tjerë për shkak të dënimit të FIFA-s. Gjithsesi, Barça do të kërkojë një yll të nivelit të lartë në vend të Nejmarit. Siç tha Sergio Ramos, pas miqësores së humbur në Florida, “ndërrova fanelën me brazilianin dhe shpresoj të jetë El Klasiko i tij i fundit, pasi na ka krijuar shumë probleme”.

Sfidanti.al