Reali i Madridit sërish u mund, madje me të njëjtin rezultat të përballjes së fundit në La Liga, 3-2, por Barcelona nuk është plotësisht e kënaqur. Sezonin e kaluar, Mesi & Co dolën thuajse duarbosh, me një Kupë të Mbretit që nuk peshon aspak si një sukses i madh, ndërsa madrilenët triumfuan në Spanjë dhe në Champions. Trajneri i ri, Ernesto Valverde, është marrë dhe i kërkohet pikërisht kjo gjë, të fitojë trofetë që vlejnë, ndonëse edhe një fitore në El Klasikon miqësore të verës nuk është fillim i keq.
Mesi, Rakitiç e Pike ishin autorët e golave për katalanasit, ndërsa Kovaçiç e Asensio ishin ata që barazuan përkohësisht për Realin në stadiumin e Majemit, të mbushur plot me mbi 66 000 spektatorë. Ishte një spektakël i vërtetë, edhe pse pa ndonjë vlerë konkurrimi, në të cilin ishin në fushë që të gjithë yjet me përjashtim të Kristiano Ronaldos. Suksesi mbetet veror dhe nuk do të përfshihet në bilancin kompetitiv të dy klubeve, i cili për momentin thotë 93 fitore për Barcelonën e 91 fitore për Realin.
Sfidanti.al