Një sulm i ashpër për klubet angleze të futbollit vjen nga një personalitet i madh si Karl-Hajnc Rumenige. Presidenti i Bajernit akuzoi se anglezët po sillen si “rrëmbyes fëmijësh”, ndërsa foli për revistën zyrtare të klubit bavarez.
“Ne nuk duam që të sjellim në Mynih fëmijë 10 apo 11-vjeçarë, siç bëjnë anglezët, – tha ai, – ndonjëherë, mund të flasim për “rrëmbim fëmijësh”. Në një rast të tillë, unë do të kisha shqetësime morale”.
Nuk dihet saktë se për cilët klube angleze e kishte fjalën ish-ylli i futbollit gjerman, por kritikat ishin të ashpra për Çelsin që ka 41 lojtarë të ardhur në Londër nga skaje të ndryshëm të Europës. “Ne në Mynih duam të marrim vetëm lojtarë të vegjël që nga mosha 14 vjeç e lart, – vazhdoi “Kalle”, – dhe preferenca është të jenë nga zonat rreth qytetit tonë. Vëmendja jonë është në radhë të parë në Bavari dhe në Gjermani, prandaj talentet tanë të ardhshëm do të vijnë nga Rozenhajmi, jo nga Rio (de Zhaneiro)”.
B. Kuka