Blerton Isufi, futbollisti i blerë për 600 mijë euro nga Molde, rezultonte të ishte risia e madhe e Shqipërisë U21…por vetë lojtari nuk ishte në dijeni dhe madje as kishte dhënë miratimin por në FSHF kanë nxituar ta cilësojnë si arritje emrin e tij në listën e Kombëtares shqiptare U21, ku trajneri Alban Bushi ka përfshirë mes risive të grumbullimit për miqësoret e qershorit. Një situatë absurde, e pakuptueshme që në rastin më të mirë vjen si pasojë e mungesës së seriozitetit dhe koordinimit.
Themi në rastin më të mirë sepse në versionin më negative, kjo do të thotë “fut dorën në thesin e Kosovës”. Deliri i madhështisë që të bën të mendosh se çdo talent i Kosovës do zgjedhë Shqipërinë për shkak të ndjesisë që sjellin te shqiptarët matanë kufirit ngjyrat kuqezi, është një marrëzi. Ndenjë superioriteti që reflektohet prej vitesh në çdo ambjent, aq sa shpesh herë në Kosovë janë të detyruar të mbyllin sy e veshë edhe në raste të tjera të ngjashme ku FSHF ka zgjedhur të mos pyesë as për mirësjellje homologët në FFK.
“Unë jam futbollist i Kosovës dhe do të vazhdoj të luaj vetëm për vendlindjen time. Nuk do të luaj kurrë për asnjë Kombëtare tjetër përveç Kosovës”, deklaron lojtari që i jep një “shuplakë” të fortë Bushit dhe sistemit të ngritur në Shqipëri ku mungesa e talenteve është e dukshme por kjo nuk i pengon “skautët” e federatës të shesin si arritje “vjedhjen” që po i bëjmë Kosovës. Historia nuk mund të përsëritet pafundësisht.
Sot Kosova nuk është as “hambari i votave” që na duhen për të forcuar pozitat personale në UEFA dhe as “serbatori” për të furnizuar futbollin e varfër të Shqipërisë. FFK që Brenda 10 viteve jetë flirtoi me Kupën e Botës duhet të na shërbejë si shembull dhe kurrë më si vendi që prdhon talentet për politikën futbollistike të dështuar të Shqipërisë.
Pirro Bardhyli

