Tirana fiton kupën ndaj një Skënderbeu anemik! Një finale për t’u harruar!

Është Tirana fituese e Kupës së Shqipërisë në futboll. Në një finale pa shumë emocione në “Elbasan Arena” kryeqytetasit mundën 3-1 Skënderbeun, duke siguruar një trofe këtë sezon dhe duke u kualifikuar për në Ligën e Europës.

U deshën 120 minuta që tiranasit të fitonin kupën e 16-të, duke qenë tani rekordmenë të këtij kompeticioni duke lënë pas Partizanin.

Ky sukses vjen vetëm pak ditë pas dështimit më të madh në historinë e klubit, pasi skuadra ra nga kategoria. Në finale, golat u shënuan që të gjithë nga lojtarët e huaj. Tirana kaloi në avantazh në pjesën e parë me anë të afrikanit Edeh dhe u duk se me rezultatin 1-0 po mbyllej ndeshja.

Nuk ndodhi kështu, pasi 4 minuta para fundit, kroati Radash barazoi rezultatin dhe e dërgoi finalen në shtesë. Aty Tirana realizoi dy herë, me anë të afrikanëve të tjerë, Moise dhe Merveil.

Sezonin e ardhshëm, skuadra kryeqytetase do të luajë edhe në Kategorinë e Parë, por edhe në Europë, një kontrast i fortë që nuk ka ndodhur kurrë më parë në futbollin shqiptar.

Sfidanti.al