E gjitha bota futbollistike e përcolli me emocione të mëdha lamturmirën e fundit të legjendës romane dhe italiane të futbollit, Françesko Toti që luajti, si profesionist, vetëm me një ekip, Romën, duke ngritur shumë lart cilësitë e tij si një futbollist klasi dhe niveli të lartë. Por, sidoqoftë, ka edhe nga ata njerëz që e vënë në dyshim këtë gjë dhe një nga ata është ish-pjesëtari i përfaqësueses franceze Kristof Dugari, mendimi i të cilit ndryshon nga ata të shumë kolegëve të tij. Ky ish-sulmues i Milanit që kaloi një sezon në Serinë A, nuk është shumë i impresionuar nga karriera e Totit. “Për mua, Toti ka qenë një futbollist fantastik dhe e gjithë kjo histori, më të vërtetë, është romantike. Ai është rritur në Romë dhe luajti për të gjatë të gjithë karrierës së tij. Sigurisht që kjo për tifozët është një gjë e madhe dhe, po ashtu, edhe për historinë e klubit.
Por, megjithëse ai ka shënuar një numër të madh golash me bluzën e Romës, unë nuk mund ta përfshij atë midis futbollistëve të mëdhenj. Dhe, pavarësisht nga fakti se ai doli kampion bote, më 2006, ai nuk luajti shumë në atë kampionat botëror. Cështja qëndron te fakti se përse ai nuk pranoi asnjë sfidë tjetër? Kaq shumë nuk donte që të largohej nga Roma, apo nuk mori ndonjë ofertë të mirë?”, shtron pyetjen Dugari në deklaratën që ai bëri në televizionin e vet, ndërkohë që kjo deklaratë ka ngjallur shumë reagime midis tifozëve. “Nuk mund ta përfshij Totin midis legjendave. Nëse ai do të ishtë një futbollist kaq i mirë, Roma do të kishte fituar më shumë se një titull”, vuri në dukje ish-futbollisti francez i mësipërm.
Sfidanti.al