Po ketej.. kush do ta dorëzojë kupën e “boterorit tone”?

Në Samitin e Davosit kishte vend edhe për presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, por ky tashmë nuk përbën më lajm sepse prania e presidentit Trump është një “kusht i pashkruar” edhe për atë të kreut të qeverisë së futbollit. Infantino prej vitesh po qeveris “Shtëpinë e Bardhë” të futbollit botëror me një parim të thjeshtë; të arkëtojë sa më shumë para dhe influencë të rëndësishme e në rrugën e tij sot është kreu I vendit më të fuqishëm të planetit.

“Në Kupën e Botës, trofeun do ta dorëzojë Presidenti Trump”, njoftoi Infantino nga Samiti me karakter ekonomik dhe kjo është normale derisa Kupa e Botës 2026 do të luhet kryesisht në SHBA. Si përkthehet kjo në realitetin tonë shqiptar dhe jo amerikan? Me shumë mundësi edhe në FSHF do t’u ketë shkuar mendja që trofeun e arritjeve t’ia dorëzojnë presidentit rekordmen të arritjeve në sportin shqiptar. Me 23 vite në krye të FSHF ai është i paaritshëm për asnjë homolog tjetër në kontinent, ndërsa me mandatin e radhës së “duarve në allçi” me siguri do të synojë primatin botëror dhe kjo e bën edhe më të “pavdekshëm” se sa një figurë politike e kalibrit botëror, prandaj Infantino bën mirë që të marrë masat e të jetë personalisht i pranishëm për arritjen e radhës në Tiranë.

Pirro Bardhyli