Ivan Perišić dhe Interi janë gjithnjë e më pranë ribashkimit. Anësori kroat, tashmë 37 vjeç, nuk e ka fshehur asnjëherë dëshirën për t’u rikthyer në Milano dhe, sipas raportimeve të fundit, vullneti i tij është i qartë: ai dëshiron vetëm fanellën zikaltër. Siç thekson edhe “La Gazzetta dello Sport”, marrëveshja ekonomike mes palëve është arritur pa vështirësi.
Edhe pse detajet nuk janë bërë publike, nga burime pranë situatës mësohet se Perišić mund të firmosë një kontratë gjashtëmujore, me opsion rinovimi edhe për një vit tjetër, të lidhur me numrin e paraqitjeve. Një formulë që i përshtatet si klubit, ashtu edhe lojtarit, duke marrë parasysh moshën dhe eksperiencën e kroatit. Pengesa kryesore për momentin mbetet PSV Eindhoven. Klubi holandez nuk ka ndërmend ta lirojë Perišić-in përpara se të përfundojë rrugëtimi i tij në Champions League dhe, edhe më pas, do të preferonte ta mbante në skuadër. Gjithçka lidhet me ecurinë europiane të PSV-së, që aktualisht ndodhet në vendin e 22-të dhe është në garë për play-off-in.
Sfida e fundit kundër Bayern-it do të jetë vendimtare: një rezultat negativ mund të sjellë eliminimin dhe, në atë rast, qëndrimi i PSV-së mund të zbutet. Pa ndeshje shtesë në Europë, hapësirat për një marrëveshje do të ishin më të mëdha. Nga ana tjetër, Interi ka një strategji të qartë në një merkato të konsideruar “të varfër” nga Marotta: të fokusohet te profile me përvojë dhe të besueshme. Rikthimi i Perišić-it do të shërbente për të mbuluar boshllëkun e krijuar nga mungesa e Dumfries në krahun e djathtë, duke i dhënë skuadrës alternativë, cilësi dhe mentalitet fitues.

