Trajneri në largim e sipër i Barcelonës, Luis Enrike, i shprehu mirënjohjen e tij të madhe Lionel Mesit, duke e quajtur atë si “jashtëtokësor”, se ky i fundit, gjatë kohës së qëndrimit trevjeçar të tij (Enrikes) si trajner kryesor i Barcelonës, luajti në formën e tij më të mirë. Luis Enrike, në fakt, po largohet nga ekipi katalonjas me stil, pasi, të shtunën e fundit, Barcelona fitoi, për herë të tretë radhazi, Kupën e Mbretit, duke mundur 3-1 në finalen e saj Alaveshin, ndërkohë që golin e parë e shënoi Mesi që, gjithashtu, luajti një rol të rëndësishëm në shënimin e golave nga Nejmari dhe Pako Alkazeri. Futbollisti i shquar argjentinas u bë golashënuesi më i mirë i La Ligës që në sezonin e parë, nën drejtimin e Enrikes, që përfunfoi me një kurrorë të trefishtë, ndërkohë që, këtë sezon, me 37 golat e shënuar, ai është golashënuesi më i mirë në pesë ligat më të forta të Evropës.
“Në të gjithë kuptimet e mundshëm, Mesi, me të vërtetë, është ‘jashtëtokësor’. Unë kam pasur fatin që mund të përjetoja formën ose versionin më të mirë të tij”, theksoi Luis Enrike. Mesi fantastik fitoi trofeun e 30-të me Barcelonën dhe, pikërisht, 30 ditë para se ai të mbushë 30 vjeç. “Padyshim, ai është nr.1 në botë. Ai arrin që të kontrollojë çdo aspekt dhe të jetë fizikisht shumë i fortë. Ai kujdeset mjaft për veten dhe unë jam i sigurt se ai ka se çfarë të japë akoma”, thotë Luis Enrike që largohet nga stoli i i drejtimit të Barcelonës si trajneri i tretë më i suksesshëm në historinë e këtij klubi. Ai ka fituar nëntë trofe dhe, para tij, janë vetëm Johan Krojfi me 11 dhe Pep Guardiola me 14 trofe.
Sfidanti.al