Maqedonasi Boshko Gjurovski nuk është i vetmi kandidat që mund të marrë “timonin” e njërit prej ekipeve me më emër në Serbi, Crvena Zvezda. Ndoshta, duket e habitshme, por mediumet në Serbi po “lakojnë” edhe emrin e trajnerit shqiptar, Besnik Hasi. Gjatë ditëve të fundit, në publik ka dalë informacioni se, që ta vazhdojë bashkëpunimin me “kuqebardhët” e Crvenës, ish-trajneri i përfaqësueses së Maqedonisë (Gjurovski) duhet të marë përsipër detyrën që ta kthejë titullin në stadiumin e Zvezdës, “Rajko Mitiç”, duke qenë se kjo është e vetmja kërkesë që njerëzit që drejtojnë këtë klub beogradas, kanë ndaj tij. Por, në fakt, qysh dje, mediumet serbë po spekulojnë se në stolin e drejtimit të Zvezdës, sezonin e ardhshëm, mund të ulet edhe Besnik Hasi (45 vjeç), me origjinë nga Kosova dhe që ka drejtuar më parë ekipe të tillë, si Anderlehti dhe Legia e Varshavës. Hasi ka një përvojë të madhe me ekipin belg jo vetëm në kampionatin e Belgjikës, por edhe në Ligën e Kampioneve, kurse me Legian polake punët atij nuk i shkuan mirë, përsa tregon edhe fakti se ai qëndroi në krye të saj vetëm 18 raunde të kampionatit të Polonisë.
Sfidanti.al