Federata e futbollit të Kinës ka filluar aplikimin e një rregulli të ri, sipas të cilit, klubet kinezë, pas blerjes nga ana e tyre të lojtarëve të huaj, do të duhet të paguajnë, si taksë, një shumë të njëjtë me atë të blerjes. Vendosja e kësaj takse synon, në radhë të parë, zhvillimin e futbollistëve të rinj kinezë, ndërkohë që kjo masë e fortë do të bëjë që klubet kinezë, në të ardhmen, të mos shpenzojnë më mjete financiare kolosale për sjelljen, sidomos, nga Evropa në Kinë të futbollistëve të njohur, sikurse ka ndodhur deri tani. Sidoqoftë, ligji i ri që pritet të hipë në fuqi, më 19 qershor, kur edhe fillon sezoni i transferimeve, sjell paqartësi lidhur me transferimet e mëdha të paralajmëruara të Diego Kostës, Uein Runit, etj. Krerët e futbollit kinez, para se të merrnin masën shtrënguese të mësipërme, e ulën numrin që lojtarëve të huaj që mund të luajnë në formacionin e parë, nga katër në tre, me qëllim që t’i zhvillojnë më shumë futbollistët vendas. Masat e fundit kufizuese që po merr qeveria kineze, janë produkt i shpenzimeve të pamata që kanë bërë klube kinezë të ndryshëm për transferimin dhe pagatshumë të mëdha të lojtarëve që, tanimë, luajnë në Kinë, Karlos Tevez, Hulk, Graciano Pele, Oskar, Aksel Vicel, Zhervinjo…
Sfidanti.al