Lebron kalon Xhordanin në plej of, por “Air” mbetet i paprekshëm!

Shënuesi më i mirë i plej ofit në historinë e NBA-së që sot është një tjetër. Ai është “një farë” Lebron Xhejms, dhe “shkurorëzoi” “mbretin” e mëparshëm Majkëll Xhordan. Pasi realizoi 35 pikë ndaj Bostonit, në fitoren kualifikues për në finalen e madhe ndaj Golden Stejtit, Lebron ka 5994 pikë ndaj 5987 të ish-gjigandit të Çikagos. Duheshin edhe 2 minuta e 40 sekonda në pjesën e tretë, kur ai realizoi një gjuajtje nga distanca për ta kaluar me 2 pikë “Air Jordan”-in, ndërsa më pas shtoi edhe 6 pikë të tjera deri në përfundim.

Në listën e shënuesve më të mirë të plej ofit, pas dy të parëve vijnë Karim Abdyl Xhabar, Kobi Brajant, Shakill O’Nill, Tim Dankën, Karl Maloun, Xherri Uest, Toni Parker dhe Lerri Bërd.

Gjithsesi, Xhordan e mban ende rekordin e tij në një mënyrë tjetër, pasi askush nuk ka qenë aq efikas sa ai në historinë e basketbollit amerikan. Basketbollistit të Bullsave iu deshën 179 ndeshje për të mbërritur në 5987 pikë, ndërsa Xhejms luajti plot 212 takime që të arrinte në 5994. Mesatarja e legjendës së vjetër është 33.4 pikë për ndeshje, ndërsa ajo e yllit të ri arrin në 28.3 pikë për takim.

Xhejms ndihmoi Klivlendin të arrinte një fitore të madhe në fushën e Bostonit, me shifrat 135-102 për të siguar në mënyrë madhështore kualifikimin për në finalen e madhe, që do ta luajë ndaj Golden Stejtit. Është hera e tretë radhazi që këto dy skuadra ndeshen në finale, me Golden Stejtin që fitoi në 2015 dhe Klivlendin në 2016.

Sfidanti.al