Peter Bos: Ky Mançester i mërzitshëm për meritë të trajnerit

Trajneri i Ajaksit të Amsterdamit tha, mbas ndeshjes finale të Ligës së Evropës mes ekipit të tij dhe Mançester Junajtidit, se ekipi i tij i kishte të gjitha mundësitë që të triumfonte në këtë Ligë, por se…. Në fakt, Zhoze Murinjo e bëri të veten: ekipi i tij e zotëroi topin vetëm 31 për qind dhe e goditi portën kundërshtare, gjithsej, pesë herë, por ajo që është më e rëndësishmja, dy goditje topi përfunduan në rrjetën e portës së kundërshtarit. Ky trajner portugez nuk është ndonjë strateg që “vdes mbas futbollit të bukur”, por, sidoqoftë, ai e di mirë sesi fitohen trofetë. Natyrisht që jo të gjithë impresionohen nga kjo strategji e tij, në radhë të parë, jo kolegu i tij i Ajaksit, Piter Bos:

“Kjo ishte një ndeshje e mërzitshme, ajo nuk kishte shanse që të bëhej e bukur. Ne nuk mund t’i kalonim stoperët dhe lojtarët e tjerë rreth tyre, pasi ata luanin vetëm me topa të gjatë dhe nuk rrezikonin që të ndërmerrnin sulme. Një futboll i tillë bëhet i mërzitshëm. Ne luajtëm mirë kundër një Mançesteri të tillë. Djemtë tanë të rinj nuk janë mësuar që të luajnë në finale, por ata do të mësojnë shumë nga kjo humbje dhe do të bëhen më të fortë”, tha Bosi mbas ndeshjes.

Sfidanti.al