CSKA-ja e Moskës në kërkim të trashëgimtarit të Teodosiçit

Humbja e fronit të kampionit të Evropës është vetëm fillimi i problemeve për kryesinë e klubit të madh rus, CSKA të Moskës, qëkur po bëhen më të zëshëm lajmet se ky klub do të mbesë edhe pa shërbimet e plejmejkerit të saj të shkëlqyer, serbit Milosh Teodosiç, që ka mbas vetes një karrierë të jashtëzakonshme, pasi, sikurse thuhet, atij po i vijnë nga NBA-ja amerikane oferta që ai nuk mund t’i refuzojë. Burime pranë këtij basketbollisti të njohur serb thonë se, Teodosiçi, më në fund, do ta pranojë një nga ofertat që atij po i vijnë nga përtej Atlantikut.

Në këto kushte, kryesia e CSKA-së po përgatitet për çdo rast dhe, tanimë, ka filluar kërkimet, madje, disa thonë se ka nënshkruar edhe kontratë paraprake, për një plejmejker të ri që do të mund ta zëvendësojë denjësisht basketbollistin e shquar serb. Flitet se një basketbollist i tillë është spanjolli Serhio Rodrigez, plejmejkeri i shkëlqyer i përfaqësueses spanjolle, për të cilin trajneri i CSKA-së, Itudis, konsideron se ai mund të jetë një trashëgimtar i ideal i Teodosiçit. Rodrigezi që shumë vite ka luajtur me Realin e Madridit, sezonin e kaluar, e kaloi në Filadelfia, por kontrata njëvjeçare me këtë klub amerikan atij i mbaron, më 1 korrik të këtij viti, dhe, kështu “Caço” Rodrigezi do të mund të kthehet ekspres në Evropë, madje, në një nga klubet më të mëdhenj të “kontinentit të vjetër”, CSKA e Moskës.

Sfidanti.al