“Sherri” i trajnerëve që kamuflon problemet e vërteta

Shpeshherë në politikën shqiptare thuhet – dhe jo rrallëherë ndodh – që një skandal del në dritë për të mbuluar një tjetër, edhe më të madh. Mesa duket, këtë ves e kemi trashëguar edhe në futboll. Nuk mund të thuhet me bindje nëse është një ves i lindur apo i kopjuar, por duket se metoda po funksionon.

“Sherri”, nëse mund të quhet i tillë, ai mes Dajës dhe Martinit, është thjesht një kopertinë interesante për një libër shumë të dobët, përmbajtja e të cilit duket sikur është shkruar nga një amator. Problemet e mëdha të futbollit në Superiore, si me magji, u zhdukën, sepse sot të gjithë flasin për “duelin e titanëve” – pa asnjë sens dhe për më tepër banal.

Shfryrja e një trajneri dhe batutat e tjetrit janë bërë papritur kryefjalë, aq sa studiot televizive janë kthyer në arena përplasjesh, ku çdo lloj analisti gjen “tavolinën e vet”, si në lokalin e lagjes, për të sulmuar njërin apo tjetrin trajner. Madje, shpesh bien në kurthin e gafës së rëndë, duke ofenduar një markë, një komunitet, një qytet apo një klub.

Një situatë aspak e hijshme për futbollin shqiptar, ku Loro Boriçi thirret të dëshmojë nëse ka qenë apo jo njeriu i revolucionit, ndërsa Dinamo e dikurshme krahasohet, si pa të keq, me realitetin e Dinamos së sotme. Trishtuese, acaruese dhe ofenduese për këto emra dhe për vetë historinë e lojës, por një “gjetje ideale” për ata që Superioren sot nuk e analizojnë më për gola pa kuptim apo shkallë bosh, por për sherre, batuta dhe protagonizma boshe.

sfidanti.al