Liverpool-i ka paraqitur zyrtarisht një ankesë pranë drejtuesit të gjyqtarëve, Howard Webb, pas golit të anuluar të Virgil van Dijk gjatë humbjes 3-0 ndaj Manchester City-t, raporton ‘The Athletic’. Në pjesën e parë të ndeshjes, mbrojtësi holandez dukej se kishte barazuar rezultatin me një goditje të fuqishme me kokë pas një goditjeje këndi, por arbitri e anuloi golin për shkak të pozicionit jashtë loje të Andy Robertson. Sipas versionit të klubit nga “Anfield”, Robertson nuk pati asnjë ndikim në aftësinë e portierit Gianluigi Donnarumma për të ndërhyrë, pasi ai kishte lëvizur për t’i bërë vend topit. Liverpool-i argumenton se, bazuar në formulimin e rregullores, asnjë nga kriteret për anulimin e golit nuk ishte plotësuar, dhe për rrjedhojë, goli duhej të ishte quajtur i rregullt.
“The Reds” i janë drejtuar zyrës së Professional Game Match Officials Limited (PGMOL), duke theksuar se nuk e pranojnë justifikimin e vendimit dhe kërkojnë një shpjegim zyrtar për situatën. Ky rast ka ndezur sërish debatet për interpretimin e rregullave të pozicionit jashtë loje në Premier League, me Liverpool-in që ndien se është dëmtuar rëndë në një ndeshje të rëndësishme ndaj kampionëve në fuqi.
sfidanti.al

