Shqipëria do të përballet me Andorrën dhe Anglinë për eliminatoret e Botërorit, aty ku synohet kualifikimi. Trajneri i Vorës, Arjan Bellaj shprehet se skuadra jonë ka mundësi reale për të marrë një fitore në Andorra. Ish-futbollisti i Kombëtares, u shpreh se Silvinjo ka bërë mirë në këto eliminatore, duke shtuar se edhe me listën e lojtarëve ka bërë mirë. Bellaj ka bërë edhe një krahasim mes kohës kur ai luante dhe Kombëtaren sot.
“Unë gjithmonë kam thënë se jam dakord me listën që zgjedh trajneri, sepse ai dhe stafi i tij ndjekin futbollistët me ekipet e tyre, shohin sa minuta luajnë, në çfarë forme janë, dhe si është performanca e tyre fizike. Besoj se trajneri nuk bën kurrë një listë që nuk i shërben interesit të ekipit dhe trajnerit, sidomos kur bëhet fjalë për të mirën e Kombëtares. Për këto dy ndeshje historike jam plotësisht me Kombëtaren Shqiptare. Nëse kalojmë këto dy sfida, ndeshjen me Andorrën dhe atë me Anglinë, e të dalim në vendin e dytë dhe do të jemi vetëm një hap larg ëndrrës më të madhe të shqiptarëve për Botërorin. Nga sa e kam parë unë, Silvinjo luan thjesht, njësoj. Unë besoj se do të luajë njësoj si në ndeshjen e kaluar, me të njëjtën skemë dhe pothuajse të njëjtën njëmbëdhjetëshe, thjesht me ndonjë ndryshim në krah. Nuk e di nëse do ta vendosë përsëri Brojën, por mendoj se më e mira është ta vendosë në krah. Nuk mund të themi se ka të gjitha ato cilësi për të luajtur aty, por besoj se në krah jep më shumë, sepse ka më shumë kontakt me topin sesa kur është në majë. Aty, besoj se mund të ndihmojë më shumë ekipin. Nuk kam frikë për Kombëtaren, pasi kemi një mbrojtje shumë të mirë. U çudita nga paraqitja e Hysajt në ndeshjen e fundit ndaj Serbisë, nuk e kisha parë më parë kurrë kaq mirë. Besoj se ishte ndeshja më e mirë e Hysajt me Kombëtaren, krahasuar me të gjitha ndeshjet e kaluara”.
sfidanti.al

