E kanë “keqtrajtuar” deri tani ligën më të fortë të basketbollit në botë. Yjet e Golden Stejtit, të ndihmuar natyrisht nga mungesa e lojtarit më të madh kundërshtar, eleminuan San Antonion dhe u shpallën kampionë të Konferencës Perëndimore. Me bilancin 12 fitore e 0 humbje, Uorriorsat (luftëtarët) vazhduan rrugën drejt titullit, pasi u kualifikuan për në finalen e madhe të NBA-së.
Në mungesë të Leonardit, San Antonio e pati të pamundur të bënte rezistencë, ndonëse besohej se një ekip kaq i fortë nuk do të lejonte të “fshihej me fshesë” në këtë mënyrë. Disfata 0-4 është tepër e rëndë për emrin e madh të Spërsave dhe të trajnerit Greg Popoviç.
Fitorja e katërt e Golden Stejtit, e dyta radhazi në Arenën e San Antonios, u arrit me shifrat 125-119, dhe me kontributin e madh të dy kampionëve më të mëdhenj.
Stefën Kërri shënoi 36 pikë, ndërsa Kevin Durant pati 29 pikë e 12 topa në tabela. “Rregullatori” i ekipit, Drejmond Grin iu afrua një tripëll dabëlli, me 16 pikë, 8 topa në tabela dhe 8 asistë. Si gjithmonë, nënkampionët e NBA-së u ndihmuan nga stoli, me lojtarët rezervë që shënuan 32 pikë.
Popoviç, i ndërgjegjshëm se nuk kishte asnjë shpresë, bëri rotacion të vazhdueshëm në ekipin e tij, duke i dhënë mundësi lojtarëve më të rinj për t’u ndeshur me më të mirët e kampionatit. Anderson, Mills, Marrej, Forbs dhe Sajmons luajtën mirë, në krah të veteranëve Gasol e Xhinobili, ndërsa zhgënjeu Lamarkus Olldrixh.
Golden Stejti është tani në pritje të rivalit të finales së madhe, dhe me siguri do të përballet me Klivlendin, gjë që do të ishte hera e tretë radhazi që do të ndodhte. Pyetja është: A do të munden Lebron Xhejms ta ndalojë?