Sandro Rosell, telashe me drejtësinë; arrestohet për pastrim parash

Policia spanjolle vë në pranga ish presidentin e Barcelonës , Sandron Rosell dhe bashkëshorten e tij  me akuzën e pastrimit të parave. Gjithcka ka ndodhur në kuadër të Operacionit ‘Rimet’ ku pati edhe 3 të arrestuar të tjerë mes të cilëve ish kreu i Federatës Braziliane të Futbollit, Ricardo Teixeira. Në të njëjtën kohë, policia kryeu edhe kontrollet në banesën e Rosell në Barcelonë dhe në zyrat e tij në Lleida, Girona dhe Andorra. Sipas asaj që publikohet në median iberike, Rosell akuzohet se ka mundur të përfitojë ilegalisht 15 milionë Euro nga të drejtat televizive të ndeshjeve të përfaqësueses braziliane duke bërë më pas riciklimin nëpërmjet kompanive të krijuara në vendet e quajtura parajsa fiskale. Ishte FBI ajo që dha sinjalizimet e saj pas hetimeve të kryera në 2015 për korrupsionin në FIFA, pikërisht një vit pas dorëheqjes së Rosell nga posti më i lartë drejtues i Barcelonës. Në këtë operacion marrin pjesë Njësia e Krimit Ekonomik e Fiskal, Prokuroria dhe Gjykata.  Arrestimi i Rosell dhe kontrollet u urdhëruan nga Gjykatësja Carmen Lamela. Kjo e fundit urdhëroi gjithashtu edhe konfiskimin e 10 milionë Eurove në depozitat bankare dhe të pasurive të patundshme me vlerë 25 milionë Euro.

sfidanti.al