Janë dy nga sulmuesit më të mirë të kombëtares shqiptare dhe po realizojnë një fund sezoni për t’u mbajtur mend. Sokol Cikalleshi vazhdon me specialitetin e tij, shënimin e golave, sidomos tani që “u lëshua nga zinxhirët”. Kavajasi tundi rrjetën për herë të 6-të në 10 takime në Superligën e Turqisë, në një tjetër fitore të Akhisarit. Cikalleshi pati probleme në fazën e parë, pasi nuk u aktivizua tek Istanbul Bashaksehirspori, ekip që luftoi për titull dhe që është në vendin e dytë. Sapo iu dha mundësia e aktivizimit, ai trego veten dhe Akhisari, edhe me ndihmën e tij, bëri një fazë të dytë të shkëlqyer, duke kaluar nga rreziku për të rënë nga kategoria, në vendin e 7-të.
Eros Grezda ndërkaq nuk ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me gola, por gjithsesi tani në fund të tij arriti të siguronte një transferim të rëndësishëm. Edicionin tjetër, sulmuesi i kombëtares do të luajë për Osijekun, ekip që është kualifikuar për në Ligën e Europës. Djaloshi 22-vjeçar nga Kosova lë Lokomotivën e Zagrebit për të pasur një ngjitje në karrierë, një përvojë europiane që do t’i vlejë për t’u bërë më i mirë, por edhe për të siguruar kalimin në një skuadër më të fortë.
Sfidanti.al