Do të jetë Liverpuli skuadra e vendit të katërt në Premier Ligën angleze, pra që do të shkojë në Ligën e Kampionëve. Të kuqtë e Jurgen Klopit përballuan presionin dhe fituan ndeshjen e fundit të sezonit, 3-0 ndaj Midëllsbrout, duke e mbyllur me 76 pikë, një më shumë sesa Arsenali që doli në vend të pestë dhe që mbeti jashtë Championsit për herë të parë që nga viti 1999. Vajnaldum në 45’, Kutinjo në 51’ dhe Lalana në 56’ ishin autorët e golave.
Arsenali fitoi gjihashtu, 3-1 ndaj Evertonit, por jo vetëm dështoi, por nuk do të ketë mbrojtësin Koshielni në finalen e Kupës së Anglisë ndaj Çelsit, pas kartonit të kuq të mbrojtësit. Në Champions shkon direkt Mançester Siti, si vendi i tretë, pas fitores 5-0 në fushën e Uatfordit, ku Kompani, Aguero (2), Fernandinjo dhe Gabriel Zhezus ishin shënuesit. Çelsi e mbylli sezonin si kampion me fitoren 5-1 në “Stemford Brixh” ndaj Sandërlendit, por pa gol të Kostës.
Harri Kejn u shpall shënuesi më i mirë i kampionatit me 29 gola, pasi realizoi tri herë në suksesin 7-1 të Totenhemi në fushën e Hull Sitit, ndërsa Zhoze Murinjo edhe pse doli i gjashti me Mançester Junajtdin, sërish bëri histori. Ai hodhi në fushë formacionin më të ri të të gjitha kohëve për “djajtë e kuq”, dhe fitoi 2-0 ndaj Kristal Palasit në “Old Traford”. Shënues ishin i riu i akademisë, Harrop, dhe Pol Pogba. Nga kategoria ranë Hull Siti, Midëllsbrou dhe Sandërlendi.
Renditja: Çelsi 93, Totenhemi 86, Man. Siti 78, Liverpuli 76, Arsenali 75, Man. Junajtid 69.
Sfidanti.al